Mësimi i bazuar në projekt zhvillon shkathtësinë për zgjidhjen e problemeve

Data e Publikimit 06 Prill 2020

Fjolla, Dominiku dhe Sonila janë anëtarë të klubit të kulturës në gjimnazin "Xhevdet Doda" në Prishtinë. Në tetor 2019, klubi ishte duke punuar në shfaqjen e famshme historike, "Tragjedia e Jul Cezarit" nga William Shakespeare. Fjolla, Dominiku dhe Sonila u bashkuan si vullnetarë për të ndihmuar në krijimin e kostumeve të shfaqjes. Mësimdhënësja e tyre, mbikëqyrëse e klubit të kulturës, u ofroi atyre mundësinë për të fituar shkathtësi praktike në një projekt ndërkurrikular. Për të krijuar kostumet për shfaqje, ata përdorën modelimin kompjuterik dhe makinën qepëse të kompjuterizuar, e cila ishte siguruar nga Programi ‘’Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt’’. Kur u pyetën për sfidat e mundshme me të cilat u përballën gjatë punës së tyre në këtë projekt, të tre ranë dakord që çuditërisht puna shkoi mjaft mirë.

"Koordinimi i detyrave dhe menaxhimi i kohës me njëri-tjetrin ishte i lehtë për t'u bërë, pasi që ne ishim të gjithë në të njëjtën klasë dhe kemi të njëjtin orar mësimor" tha Fjolla.

"Puna që bëmë së bashku në këtë projekt na ka ndihmuar të zhvillojmë shkathtësitë tona të komunikimit, të ushtrojmë durimin dhe të jemi më fleksibil", tha Sonila.

Pas përmbylljes së shfaqjes “Jul Cezari”, nëntor 2019

Megjithëse hulumtimi mbi hartimin e kostumeve për shfaqjen ishte bërë në fillim, ata ishin në gjendje të vinin në pah krijimtarinë e tyre gjatë krijimit të kostumeve, kur gjatë zgjidhjes së problemeve ata shtonin disa motive moderne në kostumet. Fjolla sqaroi se si ata kishin pak kohë për panik dhe se duhet të ishin të shpejtë në zgjidhjen e problemeve të vogla me të cilat u përballën gjatë punës në kostume.

"Ne vazhdimisht zbulonim dizajne të ndryshme që mund të bënim me makinën e qepjes, gjersa po punonim së bashku. Ishte diçka e jashtëzakonshme!" shtoi Dominiku

Pasi shikuan shfaqjen, të tre u mahnitën me rezultatet. Ata thanë që mezi presin të punojnë së bashku përsëri dhe janë të gatshëm të ndajnë njohuritë e tyre se si të punojnë në projekte të tilla edhe me nxënësit e tjerë. Ky projekt, i zbatuar bashkërisht nga gjimnazet “Xhevdet Doda” dhe “Eqrem Çabej”, mbushi nxënësit me shpresë dhe ambicie për të ndjekur artin gjatë gjithë karrierës së tyre akademike. Duke parë shfaqjen e vënë në skenë në një teatër të qytetit, ata u ndjenë krenarë për punën që kishin bërë dhe shkathtësitë që kishin fituar.